Një studim i publikuar në Jama Network Open sugjeron se një javë larg rrjeteve sociale mund të përmirësojë dukshëm shëndetin mendor te të rinjtë.
Sipas hulumtimit, një në katër të rinj raportuan më pak simptoma depresioni pas një “detoksi” njëjavor nga platformat si Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe X, shkruan Euronews përcjell Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu 373 persona të moshës 18–24 vjeç, të cilët për dy javë përdorën normalisht rrjetet sociale, ndërsa studiuesit matën kohën e përdorimit.
Më pas, rreth 80% e pjesëmarrësve vendosën të bëjnë një pauzë njëjavore, ndërsa pjesa tjetër e shmangu detoksin. Të gjithë u pyetën për gjendjen e tyre emocionale para, gjatë dhe pas ndërprerjes së përdorimit.
Rezultatet:
25% e të rinjve raportuan më pak depresion;
16% ndjenë ulje të ankthit;
15% patën përmirësim të simptomave të pagjumësisë.
Efekti ishte më i madh te të rinjtë që para studimit kishin nivele të larta të depresionit, ankthit ose probleme me gjumin.
Megjithatë, hulumtimi zbuloi se pauza nga rrjetet sociale nuk e uli ndjenjën e vetmisë – studiuesit mendojnë se kjo lidhet me mungesën e ndërveprimeve, komenteve dhe pëlqimeve gjatë asaj jave.
Hulumtuesit theksuan gjithashtu se përdorimi i telefonit nuk u ndërpre plotësisht: pjesëmarrësit shpenzuan mesatarisht 30 minuta në ditë, krahasuar me rreth dy orë para detox-it.
Dy platformat më të vështira për t’u shmangur ishin Instagram dhe Snapchat.
Studiuesit paralajmërojnë se nevojiten kërkime të tjera për të përcaktuar se sa duhet të zgjasë një pauzë nga rrjetet sociale për të përmirësuar shëndetin mendor dhe nëse këto efekte shfaqen edhe te grupmosha apo komunitete të tjera. /Gazeta Shneta/


