Kërkimet e fundit theksojnë ndikimin e ushqimit në shëndetin e zorrëve dhe rëndësinë e tij për mirëqenien e përgjithshme. Studime të ndryshme tregojnë se lloji dhe cilësia e ushqimit mund të formësojnë mikrobiomën e zorrëve — ekosistemin e baktereve që ndihmojnë tretjen, forcojnë imunitetin dhe ndikojnë në zhvillimin e disa sëmundjeve.
Një studim i publikuar në “Nature Metabolism” në janar 2025 zbuloi se fibra ushqimore, e patretshme për trupin por e fermentueshme për bakteret e zorrëve, prodhon substanca të dobishme të quajtura acide yndyrore me zinxhir të shkurtër (SCFAs), kryesisht propionat dhe butirat.
Këto përbërje duket se ndikojnë në gjene që kontrollojnë rritjen dhe ndarjen e qelizave, madje edhe në frenimin e qelizave kancerogjene.
Në eksperimente laboratorike dhe në kafshë, këto acide kanë treguar aftësinë për të ngadalësuar rritjen e tumoreve duke modifikuar mënyrën se si ADN-ja është e organizuar, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Dy studime të tjera përqendrohen te produktet e qumështit dhe te cilësia e ushqimit. Konsumi i qumështit lidhet me rritje të baktereve të dobishme, ndërsa djathi mund të ulë disa prej tyre.
Kjo sugjeron se jo të gjitha produktet e qumështit ndikojnë njësoj në mikrobiomë. Për më tepër, hulumtimet tregojnë se cilësia dhe shumëllojshmëria e ushqimeve që marrim kanë më shumë rëndësi sesa ndjekja e një diete të caktuar.
Ndërsa këto zbulime janë premtuese, veçanërisht ato që lidhen me fibrën dhe parandalimin e kancerit të zorrës së trashë, nevojiten studime të mëtejshme tek njerëzit.
Megjithatë, rritja e konsumit të fibrave dhe ushqimeve të ndryshme e të cilësisë së lartë mbetet një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të mbështetur shëndetin e zorrëve. /Gazeta Shneta/


