Agjencia Evropiane për Sigurinë Ushqimore (EFSA) ka vlerësuar se nivelet e fluorit në ujin e pijshëm në vendet e BE-së janë përgjithësisht të sigurta për popullatën, por ka vendosur kufij të rinj të marrjes ditore, me theks të veçantë tek fëmijët.
Fluori, një mineral natyral që ndihmon në parandalimin e prishjes së dhëmbëve, gjendet në rreth 90% të pastave të dhëmbëve dhe në disa vende, si Irlanda dhe zona të caktuara të Spanjës, shtohet edhe në ujin e pijshëm, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një kufi maksimal prej 1.5 mg/L fluori në ujë, studime të reja kanë ngritur shqetësime për ndikimin e tij në zhvillimin e trurit tek fëmijët, madje edhe në nivele më të ulëta.
Për këtë arsye, EFSA analizoi mbi 20,000 studime shkencore dhe shqyrtoi burimet kryesore të ekspozimit ndaj fluorit, përfshirë ujin e pijshëm, ushqimet, kripën e fluoruar dhe produktet dentare që mund të përtypen ose të gëlltiten.
Në BE, nivelet mesatare të fluorit në ujë janë nën 0.3 mg/L, shumë më poshtë se kufiri ligjor, dhe konsiderohen të sigurta.
Megjithatë, tek fëmijët e moshës 4–8 vjeç që mund të gëlltisin rregullisht pastën e dhëmbëve, mund të shfaqet një zbardhje e lehtë e dhëmbëve, sidomos në dhëmballët që janë ende në zhvillim.
Për të rritur sigurinë, EFSA ka vendosur kufij të rinj të marrjes ditore: 1 mg për bebat nën 1 vjeç, 1.6 mg për fëmijët 1–3 vjeç dhe 2 mg për fëmijët 4–8 vjeç.
Për personat mbi 8 vjeç dhe të rriturit, kufiri i sigurt është 3.3 mg në ditë. Këto masa synojnë gjithashtu mbrojtjen e fetusit gjatë shtatzënisë.
Ekspertët theksojnë nevojën për më shumë studime mbi efektet neurologjike të fluorit në nivele të ulëta. /Gazeta Shneta/


