Obeziteti në fëmijëri po shndërrohet në një krizë globale shëndetësore, me shifra alarmante që vazhdojnë të rriten. Parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030 rreth 250 milionë fëmijë mund të jenë obezë, ndërsa ekspertët po kërkojnë mënyra efektive për ta frenuar këtë fenomen.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, normat e obezitetit janë më shumë se trefishuar në mbarë botën që nga viti 1975 dhe janë rritur gati pesë herë te fëmijët dhe adoleshentët.
Një nga zgjidhjet që po diskutohet gjithnjë e më shumë është përdorimi i medikamenteve për humbje peshe, veçanërisht atyre të grupit GLP-1.
Mbështetësit e kësaj qasjeje argumentojnë se këto ilaçe mund të ndihmojnë në parandalimin e komplikacioneve shëndetësore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës te fëmijët obezë.
Nga ana tjetër, kritikët shprehin shqetësime për efektet afatgjata dhe mundësinë e varësisë nga këto medikamente, duke sugjeruar se ndërhyrjet për ndryshimin e stilit të jetesës duhet të mbeten prioritet.
Ky debat ka ndarë komunitetin shkencor, duke hapur diskutime të rëndësishme mbi shëndetin, etikën dhe përgjegjësinë në trajtimin e obezitetit te fëmijët.
Debati mbi përdorimin e medikamenteve për humbje peshe te fëmijët:
Argumentet pro:
Shkencëtarët dhe mjekët besojnë se këto medikamente mund të ndalin obezitetin që në fazat e hershme.
Shumë adoleshentë mbipeshë përjetojnë bullizëm dhe izolim shoqëror. Një studim me gati 7,000 të rinj obezë tregoi se ata që përdornin medikamente të grupit GLP-1 kishin rrezik më të ulët për mendime apo tentativa vetëvrasëse.
Argumentet kundër:
Ndërsa trajtimi i obezitetit tek të rriturit shihet si korrigjim i sjelljeve të kaluara, përdorimi i ilaçeve te fëmijët mund t’i bëjë ata të varur gjatë gjithë jetës.
Studiuesit paralajmërojnë se ende nuk është e qartë se si këto medikamente ndikojnë në trupin në zhvillim të fëmijëve dhe cilat mund të jenë pasojat afatgjata.
Kritikët e krahasojnë situatën me përdorimin e antidepresantëve, të cilët shpesh konsiderohen si një zgjidhje e shpejtë për probleme komplekse, duke anashkaluar shkaqet e vërteta të obezitetit. /Gazeta Shneta/


