Një studim i sapo publikuar ka zbuluar se konsumimi i çokollatës së zezë lidhet me një rrezik 21% më të ulët për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Ndërkohë, çokollata me qumësht nuk tregon të njëjtin efekt mbrojtës; përkundrazi, ajo lidhet me shtim të peshës në periudhë afatgjatë, duke rritur rrezikun për këtë sëmundje.
Çdo vit, rreth 1.2 milionë amerikanë diagnostikohen me diabet tip 2, duke ngritur pyetjen nëse ndryshimet e vogla në dietë, si konsumimi i çokollatës së zezë, mund të ndikojnë pozitivisht në shëndet, shkruan burimi Health transmeton Gazeta Shneta.
Çokollata e zezë njihet për përmbajtjen e lartë të kakaos, e cila ka veti antioksiduese dhe anti–inflamatore. Studimet e mëparshme kanë treguar se ajo mund të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës, duke kontribuar potencialisht në parandalimin e diabetit.
Hulumtimi i publikuar në revistën “BMJ” analizoi të dhënat e mbi 192,000 të rriturve të shëndetshëm për një periudhë mesatare prej 25 vjetësh. Pjesëmarrësit raportuan çdo katër vjet frekuencën e konsumit të shumë ushqimeve, përfshirë llojet e çokollatave. Në total, 18,862 individë zhvilluan diabet tip 2 gjatë studimit.
Rezultatet treguan se ata që konsumonin më shumë se pesë porcione çokollatë të zezë në javë kishin një rrezik ndjeshëm më të ulët të zhvillimit të diabetit, me një ulje shtesë prej 3% për çdo porcion shtesë. Në të kundërt, çokollata me qumësht nuk tregoi asnjë efekt mbrojtës dhe u shoqërua me shtim peshe afatgjatë.
Ky studim sugjeron se zgjedhja e çokollatës së zezë, në sasi të moderuar, mund të jetë një zakon i vogël me përfitime të rëndësishme shëndetësore. /Gazeta Shneta/


