Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar një raport të ri të Komitetit Global për Sigurinë e Vaksinave, duke dëshmuar edhe një herë se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm, pavarësisht pretendimeve dhe dezinformimit që kanë qarkulluar ndër vite në shumë vende të botës.
Në raportin e publikuar të enjten, komiteti ekspert shqyrtoi 31 studime të mëdha ndërkombëtare, të botuara mes viteve 2010 dhe 2025, të cilat përfshijnë miliona fëmijë nga një sërë vendesh, shkruan Retuers, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas OBSH-së, kjo analizë është një nga vlerësimet më të plota dhe më të gjera të kryera ndonjëherë mbi çështjen e lidhjes së pretenduar midis vaksinave dhe çrregullimeve të spektrit autik.
Studimet: Asnjë provë që vaksinat shkaktojnë autizëm
Raporti konkludon se nuk ka prova shkencore që mbështesin idenë e një lidhjeje shkaktare midis vaksinave dhe autizmit. Nga 31 studimet e analizuar, 20 prej tyre nuk gjetën absolutisht asnjë lidhje, ndërsa pjesa tjetër u konsiderua e dobët dhe e pasaktë nga ana metodologjike.
Komiteti i OBSH-së gjithashtu analizoi edhe debatet e hershme rreth substancave të tilla si thiomersal(një konservues i përdorur më parë në disa vaksina) dhe adjuvantët e aluminit, të cilët prej vitesh janë përmendur në teori të pabazuara. Sipas ekspertëve, nuk ka asnjë provë që as këto substanca të kenë ndonjë rol në shfaqjen e autizmit.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në konferencën e mbajtur në Gjenevë, u shpreh se ky raport vërteton qartë stabilitetin e provave shkencore ndër vite.
“Provat shkencore janë të qëndrueshme dhe të pakontestueshme: vaksinat nuk shkaktojnë autizëm. Ato mbeten një nga mjetet më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik,” tha Tedros.
Ai shtoi se dezinformimi i përhapur në rrjete sociale dhe në disa media ka krijuar pasiguri tek shumë prindër, duke ulur besimin te vaksinat dhe duke rrezikuar shëndetin e komunitetit.
“Për shkak të miteve të rreme që kanë qarkulluar për më shumë se dy dekada, është jetike të riafirmojmë edhe një herë se shkenca është e qartë. Vaksinat janë të sigurta dhe nuk kanë lidhje me autizmin,” theksoi ai.
Në përfundim të raportit, OBSH u ka bërë thirrje qeverive, institucioneve shëndetësore dhe profesionistëve të fushës të mbajnë një linjë të fortë kundër dezinformimit dhe të mbështesin programet e vaksinimit, të cilat janë baza e parandalimit të sëmundjeve të rënda infektive.
Organizata thekson se hezitimi ndaj vaksinimit i nxitur nga mite pa bazë shkencore përbën një nga kërcënimet kryesore për shëndetin global, duke rrezikuar rikthimin e sëmundjeve të cilat prej kohësh konsiderohen të kontrolluara. /Gazeta Shneta/


