Raportimet e fundit të Gazetës Shneta, sipas të cilave 546 mjekë aktualisht janë në pritje të një vendi pune në Kosovë, kanë nxitur reagime nga komuniteti mjekësor.
Lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe urologu dr. Liridon Selmani nga Klinika e Urologjisë në QKUK, i cili vlerëson se Kosova po humb potencial të çmuar njerëzor në një kohë kur ka mungesë serioze të mjekëve.
Dr. Selmani thekson se studimi i mjekësisë për gjashtë vite përbën një sfidë të madhe akademike dhe personale, e cila kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas tij, është e papranueshme që pas një procesi kaq të vështirë arsimor, qindra mjekë të rinj të mbesin jashtë sistemit shëndetësor publik.
“Të studiosh për 6 vite mjekësinë është një sfidë në vehte, të cilën e kuptojnë vetëm ata që e kanë tentuar këtë studim dhe familjarët e tyre.” shprehet Dr. Selmani
Dr. Selmani thekson se sipas studimeve dhe raporteve të ndryshme ndërkombëtare, Kosova ka vetëm rreth 1.4–1.7 mjekë për 1,000 banorë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 4.1–4.2 mjekë për 1,000 banorë. Kjo nënkupton se Kosova ka pothuajse trefish më pak mjekë për kokë banori krahasuar me vendet e BE-së.
“Duke jetuar në kohën ku edhe ashtu kemi shkurtesa të standardit të mjekëve për kokë banori, e nga ana tjetër një fenomen permanent të ikjes së mjekëve jashtë vendit Kosova nuk e ka luksin që t’i lë këta mjek jashtë sistemit të funksionimit të saj shëndetësor.” thekson Dr. Selmani.
Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht të planifikojë nevojat për specializime për të paktën 10 vitet e ardhshme, në mënyrë që të ketë përputhje ndërmjet nevojave të sistemit dhe kapaciteteve njerëzore./Gazeta Shneta/




