Mbi 500 mjekë të përgjithshëm të papunë janë në pritje të konkursit për specializime nga Ministria e Shëndetësisë. Bordi për Shkollim Specialistik i ka thënë gazetës se konkursi shpallet në bazë të nevojave.
Mbi 500 mjekë të përgjithshëm dhe të papunë janë në pritje për shpalljen e konkursit për specializime nga Ministria e Shëndetësisë. Konkursi i fundit i shpallur nga MSh ka qenë tash një vit, në dhjetor të vitit 2024, shkruan Gazeta Shneta.
Njëri nga mjekët që është në pritje të konkursit, ka thënë se mos shpallja e konkursit nuk iu lë rrugë tjetër pos të mësojnë një gjuhë të huaj dhe të ikin nga Kosova.
“Jemi nje numer i madh i mjekeve te pergjithshem te pa pune qe krahas kesaj nuk na mundesohet as shkollimi i metejm specialistik nga ministria dhe rrjedhimisht nuk na mbet mundesi tjeter perpos te mesojm gjuhe te huaja dhe te shikojm mundesite jashte vendit edhe perkunder vullnetit tone qe te kontribojme ne vendin tone”, ka thënë ky mjek, cili ka kërkuar që të mbetet anonim.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë bërë të ditur se aktualisht janë rreth 546 mjekë të përgjithshëm të cilët janë deklaruar si të pa punë. Nga OMK kanë thënë po ashtu se sivjet 90 mjekë kanë kërkuar certifikaën për të kaluarën etike për largim nga vendi.
“Nga fillimi i vitit 2025 e deri më sot janë lëshuar 90 certifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale, dokument bazë që shërben për punësim jashtë vendit. Nga këto 90 certifikata të lëshuara 87 prej tyre janë Doktor të Mjekësisë dhe 3 janë Specialist”, kanë thënë nga Oda.
Bordi: Konkurset i shpallim në bazë të nevojave
Bordi për Shkollim Specialistik i ka thënë gazetës se ky institucion pranon rregullisht kërkesa nga institucionet, të cilat analizohen në mënyrë sistematike dhe kritike në raportin nevojë, kapacitet për shkollim, duke nxjerrë prioritetet sipas lëmive dhe institucioneve, para se ato t’ia prezantojë, konform kompetencave, Ministrit të Shëndetësisë.
“Fatkeqësisht, një standard, përkushtim dhe planifikim të tillë nuk është parë asnjëherë që nga themelimi i Bordit për Shkollim Specialistik në Republikën e Kosovës. Në tre vitet e fundit janë udhëhequr pesë konkurse dhe janë ndarë gjithsej 439 specializime të reja, respektivisht 140 në vitin 2023, 111 në vitin 2024 dhe së fundi 188 përgjatë vitit 2025; shto këtu numrin e specializantëve nga gjeneratat e mëparshme, që sipas të dhënave të pranuara më 31.10.2025 nga administrata e BShS, numri i gjithmbarshëm arrin në 809 specializantë. Rreth 40% e tyre pritet ta përfundojnë specializimin në periudhën nëntor 2025–mars 2026, duke zbutur në masë të konsiderueshme nevojat në tre nivelet e sistemit shëndetësor”, kanë deklaruar nga ky Bord.
Nga Bordi kanë thënë se nuk kanë shifra të mjekëve të pa punë apo atyre që dalin jashtë vendit, por sipas tyre në konkursin e fundit kanë mbetur tre vende të paplotësuara, gjë që sipas tyre tregon se numri i pozitave të hapura në tërësi përmbush nevojat dhe kërkesat për specializime.
“Sigurisht, konkurrenca e aplikimeve në lëmitë më të preferuara nga mjekët (dhe tregu) determinon edhe garën më të ashpër në një lëmi dhe më të butë në një tjetër. Pikërisht për këtë arsye, me qëllim maksimalizimin e mundësisë për sistemimin e secilit mjek aplikant në një specializim, konform pikëve të siguruara në garë, të gjithë aplikantëve jofitues në raundin e parë u është dhënë mundësia e ripërcaktimit në pozitat e mbetura të paplotësuara (e paraparë kjo në konkurs publik). Megjithatë, sikurse u theksua më lartë, në fund të procesit, pas raundit të dytë ripërcaktues kanë mbetur përsëri vende vakante”, kanë deklaruar nga Bordi. /Gazeta Shneta/




