Shumë çrregullime të shëndetit mendor mund të kenë më shumë ngjashmëri biologjike sesa është besuar deri më tani, sipas një studimi të ri të madh gjenetik të publikuar në revistën shkencore Nature.
Hulumtimi, i realizuar nga studiues të Universitetit të Colorado Boulder dhe Mass General Brigham në SHBA, ka analizuar ADN-në e mbi 6 milionë personave, përfshirë më shumë se 1 milion individë të diagnostikuar me të paktën një çrregullim mendor, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit kanë shqyrtuar 14 çrregullime psikiatrike dhe kanë zbuluar se shumica e dallimeve gjenetike mund të shpjegohen nga vetëm pesë modele të gjera gjenetike, të cilat lidhen me zhvillimin dhe funksionimin e trurit.
Bazuar në këto modele, çrregullimet u grupuan në pesë kategori kryesore:
çrregullime me tipare kompulsive (si anoreksia nervore, sindroma Tourette dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv);
çrregullime internalizuese (depresioni, ankthi dhe çrregullimi i stresit post-traumatik);
çrregullime të lidhura me përdorimin e substancave;
çrregullime neurozhvillimore (autizmi dhe ADHD);
dhe një grup që përfshin çrregullimin bipolar dhe skizofreninë.
Studimi tregon se rreth 70% e sinjalit gjenetik të skizofrenisë është i përbashkët me çrregullimin bipolar, dy gjendje që tradicionalisht janë konsideruar shumë të ndryshme.
Sipas studiuesve, këto gjetje sfidojnë idenë se çrregullimet mendore janë sëmundje tërësisht të ndara dhe sugjerojnë se shumë prej tyre drejtohen nga mekanizma biologjikë të përbashkët. Megjithatë, ata theksojnë se është ende herët për ndryshime në mënyrën e diagnostikimit.


