Reduktimi i izolimit social mund të ndihmojë në ruajtjen e funksioneve njohëse në moshë të shtyrë dhe të ngadalësojë rënien mendore, sipas një studimi të ri nga Universiteti i St Andrews në Mbretërinë e Bashkuar.
Hulumtimi, i publikuar në The Journals of Gerontology: Psychological Sciences and Social Sciences, ka gjetur një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes izolimit social dhe përkeqësimit më të shpejtë të funksioneve njohëse në moshën e tretë.
Rënia patologjike e funksioneve njohëse lidhet më së shpeshti me sëmundjen e Alzheimerit dhe format e tjera të demencës, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studimit, personat me nivel më të lartë izolimi social përjetojnë rënie më të shpejtë të aftësive njohëse, pavarësisht nëse ndihen apo jo të vetmuar.
Studiuesit theksojnë se izolimi social dhe ndjenja e vetmisë nuk janë e njëjta gjë dhe kanë efekte të pavarura mbi shëndetin e trurit.
Izolimi social matet në mënyrë objektive, përmes faktorëve si pjesëmarrja në aktivitete shoqërore, anëtarësimi në organizata komunitare apo përfshirja në aktivitete fetare, ndërsa vetmia lidhet me përjetimin subjektiv të ndjenjës së të qenit vetëm.
Analiza është bazuar në të dhënat e studimit amerikan Health and Retirement Study, duke përfshirë mbi 30 mijë persona dhe 137,653 teste të funksionit njohës të kryera ndërmjet viteve 2004 dhe 2018.
Rezultatet tregojnë se ulja e izolimit social ka efekt mbrojtës për funksionet njohëse, pavarësisht gjinisë, racës, përkatësisë etnike apo nivelit arsimor.
Autorët e studimit theksojnë se izolimi social është një shqetësim i rëndësishëm i shëndetit publik, veçanërisht tek të moshuarit. Para pandemisë COVID-19, rreth një e katërta e personave mbi 65 vjeç konsideroheshin të izoluar socialisht.


