Fibroidet e mitrës mund të përfaqësojnë një rrezik të shtuar për shëndetin e zemrës, sipas një studimi të ri të kryer nga studiues të lidhur me Shkollën e Mjekësisë Perelman në Universitetin e Pensilvanisë, në Filadelfia.
Studiuesit analizuan lidhjen mes fibroidëve të mitrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare aterosklerotike, duke u bazuar në kërkime të mëparshme mbi këtë temë, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan një lidhje të fortë mes fibroidëve dhe sëmundjeve të zemrës. Gratë me fibroidë kishin rreth 80% më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje kardiovaskulare krahasuar me ato që nuk kishin fibroidë.
Në këtë studim u krahasuan rreth 450,000 gra me fibroidë me mbi 2.25 milionë gra pa fibroidë, të moshës 18–50 vjeç. Pjesëmarrëset u ndoqën për deri në 10 vjet për të vëzhguar zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, si infarkti, goditja në tru dhe sëmundjet e arterieve periferike.
Fibroidet e mitrës janë shumë të përhapura dhe prekin një numër të madh grash. Disa gra nuk shfaqin simptoma, ndërsa të tjera përjetojnë gjakderdhje të rëndë gjatë menstruacioneve, presion në legen ose dhimbje.
Studimi i publikuar në “Journal of the American Heart Association”, sugjeron se ndikimi i fibroidëve shkon përtej shëndetit riprodhues. Edhe pse studimi nuk vërteton se fibroidet shkaktojnë drejtpërdrejt probleme të zemrës, kjo tregon se ekziston një lidhje e mundshme mes këtyre dy gjendjeve.
Fibroidet janë rritje beninje që formohen në muskujt e lëmuar të mitrës dhe mund të prekin deri në 80% të grave deri në moshën 50 vjeç. Madhësia e tyre varion nga ajo e një fare molle deri në atë të një grejpfruti. Trajtimi varet nga ashpërsia e simptomave dhe mund të përfshijë medikamente për dhimbjen, pilula kontraceptive ose ndërhyrje kirurgjikale. /Gazeta Shneta/


