Policia spanjolle ka kryer të enjten një bastisje në laboratorin kërkimor IRTA-CReSA në Cerdanyola del Vallès, në Kataloni, në kuadër të hetimeve për shpërthimin e murtajës afrikane të derrave, që ka shkaktuar vdekjen e 26 derrave të egër.
Operacioni u zhvillua nga policia rajonale Mossos d’Esquadra dhe Guardia Civil, me autorizim gjykate. Laboratori po hetohet për vepra të mundshme mjedisore, ndërsa procedurat janë shpallur konfidenciale nga gjykata lokale, raporton Euronews përcjell Gazeta Shneta.
Sipas një raporti nga Qendra për Kërkime në Shëndetin e Kafshëve (CISA-INIA), analizat gjenetike tregojnë se virusi i zbuluar është shumë i ngjashëm me një lloj që ka qarkulluar në Gjeorgji në vitin 2007, i cili përdoret shpesh në studime eksperimentale dhe kërkime për vaksina. Derrat e parë të infektuar janë gjetur në afërsi të laboratorit, i cili është një nga pesë qendrat kërkimore që punojnë me këtë virus në zonë.
Pas shpërthimit, autoritetet kanë vendosur masa kufizuese në disa pjesë të Barcelonës. Edhe pse murtaja afrikane e derrave nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, ajo paraqet rrezik të madh për industrinë e blegtorisë.




