Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës (UP) ka shënuar një vit të suksesshëm në fushën e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare gjatë vitit 2025, duke realizuar 24 punime shkencore dhe duke marrë pjesë në 14 konferenca, aktivitete këto të mbështetura financiarisht nga UP-ja me gjithsej 39,921.60 euro.
Si njëra nga njësitë më të rëndësishme akademike të UP-së, nga e cila është ndërtuar dhe zhvilluar historikisht shëndetësia dhe shëndeti publik në Kosovë, Fakulteti i Mjekësisë ka vazhduar të kontribuojë ndjeshëm në avancimin e kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.
Sipas një njoftimi zyrtar nga UP-ja, gjatë vitit 2025, personeli akademik i këtij fakulteti publikoi 24 punime shkencore në revista të indeksuara në bazat prestigjioze „Web of Science” dhe „Scopus”. Nga këto, 15 punime janë botuar në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science”, ndërsa 8 punime në „Scopus”, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (2 në Q1, 2 në Q2, asnjë në Q3 dhe 4 në Q4). Po ashtu, u botua edhe një kapitull shkencor në një shtëpi botuese të indeksuar në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës mbështeti Fakultetin e Mjekësisë me 22,200 euro për publikimet shkencore, si dhe me 17,721.60 euro për pjesëmarrje apo organizim të 14 konferencave shkencore, nga të cilat 11 ishin ndërkombëtare dhe 3 rajonale.
Një zhvillim i rëndësishëm për Fakultetin dhe UP-në në përgjithësi ishte zgjedhja e ish-profesorit të Fakultetit të Mjekësisë dhe kirurgut me renome botërore, prof. Rifat Latifi, si drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK). Prof. Latifi, i cili është i asociuar në Universitetin Shtetëror të Arizonës, u emërua në këtë pozitë në nëntor të vitit 2025.
QKSTK-ja, e themeluar në korrik të vitit 2025, synon të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike, si dhe të trajtojë fusha të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara. Në shtator të këtij viti, UP-ja dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejmë të kësaj qendre.
Gjatë vitit 2025 përfundoi edhe projekti “NanoKos”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i realizuar nga Fakulteti i Mjekësisë i UP-së në bashkëpunim me Universitetin e Milanos, Universitetin e Parmës dhe King’s College London. Projekti kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve kërkimore në Kosovë në fushën e nanopartikujve në shëndet dhe mjedis.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte shënimi i 50-vjetorit të themelimit të Degës së Stomatologjisë, si një komponentë kyçe e Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë, ky fakultet ka shënuar edhe avancim teknologjik në procesin mësimor, pasi gjatë vitit 2024 nisi për herë të parë evidentimi elektronik i mbajtjes së mësimit përmes përdorimit të QR kodeve. /Gazeta Shneta/




