Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar se produkti ushqimor për foshnje “Aptamil AR 1” është i sigurt për konsum dhe lejohet sërish të shitet në treg.
Sipas AUVK-së, ky konfirmim vjen pas ritestimeve shtesë të kryera nga autoritetet kompetente në Holandë, vendi i origjinës së produktit.
Analizat kanë treguar se qumështi për foshnje është në përputhje me standardet evropiane të sigurisë ushqimore, transmeton Gazeta Shneta.
“Pas njoftimit të publikuar më herët për ndalimin e produktit Aptamil AR 1, ushqim për fëmijë, me numër loti 111444865, me datë skadimi 17.05.2026, prodhuar nga Nutricia Cuijk BV, Holandë dhe importuar nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri, njoftojmë opinionin publik se nga autoritetet kompetente të vendit të origjinës, Holandë, janë kryer ritestime shtesë në produktin ushqimor qumësht Aptamil dhe është konfirmuar se analizat kanë rezultuar në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore dhe se produkti Aptamil AR 1 është vlerësuar i sigurt për konsum dhe lejohet sërish të shitet në treg” thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se ndalimi i përkohshëm i këtij produkti ishte masë parandaluese, e ndërmarrë për mbrojtjen e shëndetit publik./Gazeta Shneta/




