Hulumtimet e fundit shkencore sugjerojnë se vaksina kundër herpesit mund të ofrojë përfitime shëndetësore që shkojnë përtej parandalimit të vetë sëmundjes.
Sipas dy studimeve të reja, kjo vaksinë mund të ndihmojë edhe në uljen e rrezikut për zhvillimin e demencës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, raporton Health News, përcjell Gazeta Shneta.
Një studim i publikuar më 23 prill në revistën prestigjioze “JAMA” tregoi se të moshuarit australianë që kishin të drejtë të merrnin falas vaksinën kundër herpesit me virus të dobësuar, të njohur si Zostavax, kishin 1.8 për qind më pak gjasa të diagnostikoheshin me demencë krahasuar me ata që nuk ishin përfshirë në programin e vaksinimit.
Ky rezultat sugjeron një ndikim potencial mbrojtës të vaksinës mbi shëndetin e trurit.
Ndërkohë, një tjetër studim i botuar në fillim të majit në “European Heart Journal” zbuloi se të rriturit në Korenë e Jugut që morën vaksinën Zostavax kishin një rrezik 23 për qind më të ulët për ngjarje të rënda kardiovaskulare, përfshirë infarktin e miokardit dhe dështimin e zemrës.
Ekspertët besojnë se këto përfitime lidhen me aftësinë e vaksinës për të reduktuar inflamacionin, i cili zakonisht shoqëron infeksionin me herpes.
Sipas Dr. Pascal Geldsetzer nga Universiteti Stanford, vaksinat mund të ndikojnë në sistemin imunitar në mënyra më të gjera sesa vetëm prodhimi i antitrupave, duke sjellë përfitime edhe për sëmundje të tjera.
Herpesi, ose herpes zoster, shkaktohet nga riaktivizimi i virusit të lisë së dhenve dhe shfaqet më shpesh tek personat mbi 50 vjeç dhe ata me sistem imunitar të dobësuar.
Për këtë arsye, vaksinimi rekomandohet gjerësisht si masë parandaluese. /Gazeta Shneta/


