Mamografia, e përdorur zakonisht për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, mund të ndihmojë edhe në identifikimin e rrezikut për sëmundje të zemrës, tregon një studim i ri shkencor.
Hulumtimi ka zbuluar se depozitat e kalciumit në arteriet e gjirit, të dukshme gjatë mamografisë, lidhen me rrezik më të lartë për infarkt, goditje në tru dhe dështim të zemrës, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Kjo gjendje, e njohur si kalcifikim arterial i gjirit, shfaqet në rreth 15–25 për qind të mamografive, por aktualisht nuk raportohet rregullisht.
Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 10 mijë grave dhe gjetën se gratë me përparim të këtyre kalcifikimeve kishin deri në dyfish më shumë rrezik për ngjarje kardiovaskulare.
Ekspertët theksojnë se ky informacion mund të shfrytëzohet pa analiza shtesë apo kosto shtesë, duke ndihmuar në vlerësimin dhe parandalimin më të hershëm të sëmundjeve të zemrës te gratë.


