Disa konservues ushqimorë të përdorur gjerësisht në industrinë ushqimore mund të rrisin rrezikun për diabet të tipit 2 dhe disa lloje kanceri, sugjerojnë dy studime të reja të mëdha franceze.
Sipas studimeve të publikuara në revistat shkencore BMJ dhe Nature Communications, personat që konsumojnë sasi më të larta të disa aditivëve konservues kanë rreth 47% rrezik më të lartë për diabet të tipit 2 dhe deri në 32% rrezik më të lartë për disa lloje kanceri, krahasuar me ata që i konsumojnë më pak.
Studiuesit kanë analizuar të dhëna nga studimi NutriNet-Santé, ku mbi 100 mijë persona në Francë raportuan për vite me radhë zakonet ushqimore, stilin e jetesës dhe gjendjen shëndetësore.
Në fokus të veçantë ishin konservuesit kimikë që gjenden në mishrat e përpunuar, djathëra, fruta të thata, produkte çokollate dhe ushqime të tjera industriale.
Disa prej tyre, si nitriti i natriumit dhe nitratet, u lidhën me rritje të rrezikut për kancerin e prostatës dhe gjirit, ndërsa sorbati i kaliumit u shoqërua me rrezik më të lartë për kancer në përgjithësi.
Sa i përket diabetit, studiuesit gjetën se si konservuesit jo-antioxidantë ashtu edhe ata antioxidantë lidhen me një rritje të ndjeshme të rasteve të diabetit të tipit 2 te personat që i konsumojnë më shpesh.
Autorët theksojnë se studimet janë vëzhguese dhe nuk dëshmojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë, por sipas tyre, rezultatet ngrenë nevojën për rishikim të rregulloreve mbi përdorimin e konservuesve ushqimorë.
Në ndërkohë, ekspertët rekomandojnë që konsumatorët të favorizojnë ushqime të freskëta dhe minimalisht të përpunuara, ndërsa industria ushqimore të kufizojë përdorimin e aditivëve të panevojshëm./Gazeta Shneta/


