Disa konservues ushqimorë të përdorur gjerësisht në industrinë ushqimore mund të rrisin rrezikun për diabet të tipit 2 dhe për disa lloje kanceri, sipas dy studimeve të mëdha franceze të publikuara në “BMJ” dhe “Nature Communications”.
Studimet tregojnë se personat që konsumojnë sasi më të larta të disa aditivëve konservues kanë deri në 47% rrezik më të lartë për diabet të tipit 2 dhe deri në 32% rrezik më të lartë për disa lloje kanceri, krahasuar me ata që i konsumojnë më pak, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Konservuesit kimikë gjenden shpesh në mishra të përpunuar, fruta të thata, djathëra dhe çokollata.
Në analizën për diabetin, studiuesit i ndanë konservuesit në jo-antioksidantë dhe antioksidantë.
Një konsum i lartë i konservuesve jo-antioksidantë u shoqërua me 49% rritje të rrezikut për diabet, ndërsa aditivët antioksidantë me 40% rritje.
Studimi mbi kancerin analizoi 17 konservues specifikë. Sorbati i kaliumit u lidh me rritje të rrezikut për kancer në përgjithësi dhe kancer të gjirit.
Nitriti i natriumit, i përdorur në mishra si proshuta dhe sallami, u shoqërua me rritje të rrezikut për kancer të prostatës, ndërsa nitrati i kaliumit me rritje të rrezikut për kancer në përgjithësi dhe kancer të gjirit. Edhe acetatët u lidhën me rrezik më të lartë për disa lloje kanceri.
Studimi u bazua në të dhënat e mbi 100,000 pjesëmarrësve të projektit NutriNet-Santé, të ndjekur për rreth 7.5 vjet.
Megjithëse studimi është vëzhgues dhe nuk provon shkakësi të drejtpërdrejtë, autorët theksojnë nevojën për rishqyrtim të rregullave mbi përdorimin e këtyre aditivëve dhe rekomandojnë konsum më të madh të ushqimeve të freskëta dhe sa më pak të përpunuara. /Gazeta Shneta/


