Rreth 90% e amerikanëve plotësojnë kriteret për të paktën fazën e parë të sindromës kardiovaskulare–renale–metabolike (CKM), një gjendje e përcaktuar së fundmi që përfshin sëmundjet e zemrës, sëmundjet e veshkave, obezitetin dhe diabetin e tipit 2.
Ky koncept i ri, i prezantuar në vitin 2023 dhe i mbështetur nga organizata të mëdha si Shoqata Amerikane e Zemrës, pritet të përdoret gjithnjë e më shumë nga mjekët për menaxhimin e rrezikut kardiovaskular, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri, i publikuar në “Journal of the American Heart Association”, ka zbuluar se aktiviteti fizik i lehtë, si ecja apo kryerja e punëve të shtëpisë, mund të ulë rrezikun e vdekjes tek personat me fazat 2, 3 ose 4 të sindromës CKM.
Sipas autorit kryesor të studimit, Joseph Sartini nga Universiteti Johns Hopkins, kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse personat me faza më të avancuara të CKM kanë rrezik më të lartë për pasoja serioze shëndetësore, përfshirë vdekjen e parakohshme.
Diagnoza e sindromës CKM bazohet në praninë e disa faktorëve rreziku, si inflamacioni kronik, niveli i lartë i sheqerit dhe kolesterolit në gjak, hipertensioni, funksioni i ulur i veshkave dhe obeziteti, veçanërisht ai abdominal. Në varësi të këtyre faktorëve, individët klasifikohen në katër faza, nga shenjat e hershme të mbipeshës ose prediabetit deri te sëmundjet e diagnostikuara të zemrës, si infarkti apo goditja në tru.
Studiuesit analizuan të dhëna nga studimi kombëtar amerikan “NHANES (2003–2006)”, që përfshinte rreth 7,200 të rritur.
Ata vunë re se, ndonëse aktiviteti fizik intensiv mund të jetë i vështirë për këta persona, aktiviteti i lehtë është i arritshëm për shumicën, nuk kërkon pajisje speciale apo palestër dhe mund të sjellë përfitime të rëndësishme afatgjata për shëndetin. /Gazeta Shneta/


