Për shumë vite, sëmundja e Alzheimerit është konsideruar e pakthyeshme, ndaj shumica e kërkimeve janë përqendruar në parandalimin ose ngadalësimin e përparimit të saj, e jo në rikthimin e funksioneve të humbura.
Megjithatë, një studim i ri eksperimental i nivelit paraklinik i kryer te minjtë ofron shpresë se dëmtimet e shkaktuara nga Alzheimeri mund të jenë të paktën pjesërisht, të rikthyeshme shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta,
Studiuesit testuan një përbërje me veti neuroprotektive në modele shtazore me Alzheimer të avancuar. Rezultatet treguan se ky përbërës ishte në gjendje të rikthente nivelet e një molekule kyçe të energjisë qelizore dhe të përmbyste dëmtimet e trurit të lidhura me sëmundjen, duke përmirësuar edhe funksionin njohës.
Në qendër të studimit është NAD+ (nikotinamid adeninë dinukleotidi), një koenzimë thelbësore për metabolizmin e energjisë dhe riparimin e ADN-së.
Nivelet e NAD+ bien natyrshëm me moshën dhe kjo rënie lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të lidhura me plakjen, përfshirë Alzheimerin.
Mes tjerash, nivelet e ulëta të NAD+ shoqërohen me stres oksidativ, inflamacion dhe grumbullim proteinash në tru – faktorë kyç në zhvillimin e sëmundjes.
Ekipi kërkimor nga Case Western Reserve University, University Hospitals dhe Louis Stokes Cleveland VA Medical Center hetoi nëse ruajtja e ekuilibrit energjetik të trurit përmes stabilizimit të NAD+ mund të parandalojë apo edhe të rikthejë Alzheimerin.
Studimi, i publikuar në “Cell Reports Medicine”, bazohet në punë të mëparshme të ekipit, ku rritja e NAD+ kishte ndihmuar rikuperimin te minjtë me dëmtime traumatike të trurit.
Edhe pse nevojiten studime të mëtejshme te njerëzit, këto gjetje sugjerojnë se terapitë që synojnë rikthimin e ekuilibrit energjetik të trurit mund të hapin rrugë të reja për trajtimin dhe ndoshta rikthimin e funksioneve njohëse në Alzheimer. /Gazeta Shneta/


