Përdorimi më i shpeshtë i rrjeteve sociale dhe videolojërave nuk lidhet domosdoshmërisht me përkeqësimin e shëndetit mendor tek adoleshentët, sipas një studimi të ri nga Universiteti i Manchesterit, i publikuar në Journal of Public Health.
Hulumtimi analizoi të dhënat e 25 mijë nxënësve të moshës 11–14 vjeç gjatë tre viteve shkollore dhe nuk gjeti prova se përdorimi i shtuar i rrjeteve sociale apo lojërave elektronike rrit simptomat e ankthit apo depresionit në vitin pasues.
Sipas studiuesve, lidhja mes teknologjisë dhe problemeve të shëndetit mendor mund të jetë e mbivlerësuar, ndërsa përfitime të mundshme si lidhja sociale, shprehja personale dhe ndarja e përvojave janë më pak të studiuara.
“Rezultatet tona nuk mbështesin idenë se thjesht koha e kaluar në rrjete sociale apo lojëra çon në probleme të shëndetit mendor. Marrëdhënia është më komplekse,” tha autorja kryesore e studimit, Qiqi Cheng.
Studiuesit theksojnë se adoleshentët që tashmë përjetojnë ankth ose depresion mund t’u drejtohen rrjeteve sociale apo lojërave si mënyrë përballimi, dhe jo domosdoshmërisht si shkak i problemeve.
Megjithatë, studimi ka kufizime pasi bazohet në të dhëna të vetë-raportuara dhe matjet janë bërë me intervale 12-mujore.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, problemet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe të rinjtë janë në rritje, me mbi një në pesë adoleshentë në Evropë që jetojnë me një gjendje të tillë.


