Një studim i ri nga Karolinska Institutet sugjeron se ndryshime të vogla në funksionin e veshkave, edhe kur vlerat konsiderohen normale, mund të ndihmojnë në identifikimin e personave me rrezik për zhvillimin e sëmundjes kronike të veshkave.
Hulumtimi, i publikuar në revistën Kidney International, tregon se devijimet nga vlerat mesatare të filtrimit glomerular (eGFR), të përshtatura sipas moshës dhe gjinisë, lidhen me rrezik më të lartë për dështim të veshkave dhe vdekje të parakohshme, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu mbi 1.1 milion të rritur në rajonin e Stokholmit dhe analizoi rreth shtatë milionë teste eGFR të kryera ndërmjet viteve 2006 dhe 2021.
Rezultatet tregojnë se personat me eGFR nën percentilin e 25-të kishin rrezik dukshëm më të lartë për dializë ose transplant të veshkave, edhe nëse vlerat e tyre ishin mbi kufirin e konsideruar normal.
Për të ndihmuar mjekët në identifikimin e hershëm të këtyre rasteve, studiuesit kanë zhvilluar një mjet online që krahason eGFR-in e pacientit me normat e popullatës sipas moshës.
Sipas autorëve, kjo qasje mund të mundësojë ndërhyrje më të hershme dhe parandalim më efektiv të përparimit të sëmundjes.
Sëmundja kronike e veshkave prek 10–15% të të rriturve në mbarë botën dhe shpesh diagnostikohet vonë, kur një pjesë e madhe e funksionit të veshkave është tashmë e humbur./Gazeta Shneta


