Një studim i ri sugjeron se gratë që vuajnë nga anemia për shkak të mungesës së hekurit, e shkaktuar nga gjakderdhjet e rënda menstruale, mund të përfitojnë më shumë nga zëvendësimi i hekurit me infuzion intravenoz (IV) sesa nga tabletat e hekurit. Sipas studimit një dozë e vetme hekuri IV rezultoi më efektive sesa suplementet orale të marra çdo dy ditë.
Rezultatet u publikuan më 8 janar në revistën shkencore “Blood Advances”. Autori kryesor, Daniel Wang, student i vitit të katërt në Shkollën e Mjekësisë Yale, shpjegoi se hekuri oral zakonisht përdoret si trajtim i parë sepse duket më i lirë dhe më i përshtatshëm, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, studimi tregoi se hekuri intravenoz ofron vlerë më të lartë për koston dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së pacienteve.
Sipas të dhënave, gati një e treta e grave përjetojnë anemi nga mungesa e hekurit, ndërsa ato me menstruacione të rënda janë në rrezik më të lartë. Simptomat përfshijnë lodhje ekstreme, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje në kraharor, ndërsa anemia mund të përkeqësojë edhe probleme të tjera shëndetësore.
Studimi përdori një model krahasues që analizoi efektet e dy metodave të trajtimit gjatë gjithë periudhës riprodhuese të grave, nga mosha 18 deri në 51 vjeç.
Gratë që morën një dozë të vetme hekuri IV ruajtën nivele të shëndetshme të hekurit në gjak për të paktën 30 muaj.
Ndërkohë, tek ato që merrnin suplemente orale, anemia prirej të rikthehej brenda 36 muajsh, pavarësisht përdorimit të vazhdueshëm të tabletave.
Për më tepër, trajtimi intravenoz rezultoi edhe më kosto-efektiv. Studiuesit theksuan se modeli ka disa kufizime, por planifikojnë ta përmirësojnë dhe ta përdorin për të ndihmuar pacientët, mjekët dhe siguruesit në marrjen e vendimeve më të mira për trajtimin e anemisë nga mungesa e hekurit. /Gazeta Shneta/


