Dogana e Kosovës ka zbuluar në Prishtinë një rast të deklarimit të pasaktë të produkteve farmaceutike, të cilat ishin paraqitur si lëndë e parë për prodhim, por rezultuan të jenë produkte të gatshme për shitje.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit dokumentar dhe ekzaminimit fizik të një dërgese mallrash, janë konstatuar mospërputhje mes përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit, i cili fillimisht ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim, përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, pas një ekzaminimi të detajuar që përfshiu verifikimin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është vërtetuar se mallrat nuk përbënin lëndë të parë, por produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë.
Sipas autoriteteve doganore, me këtë veprim është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, ndërsa mungonte edhe dokumentacioni përkatës për import. Vlera e mallrave arrin rreth 49 mijë euro.
Rasti është cilësuar si kundërvajtje doganore. /Gazeta Shneta/




