Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në shëndetin e frymëmarrjes, duke rritur rastet e astmës dhe sëmundjeve kronike të mushkërive.
Në të njëjtën kohë, trajtimi i këtyre sëmundjeve nga sistemi shëndetësor po kontribuon në ndotjen e mjedisit, duke krijuar një rreth vicioz mes shëndetit dhe klimës.
Ndotja e ajrit, temperaturat e larta, zjarret pyjore dhe sezoni më i gjatë i polenit po e bëjnë ajrin më të dëmshëm për t’u thithur, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Sipas të dhënave, mbi 90 për qind e popullsisë së botës jeton në zona ku cilësia e ajrit tejkalon kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ekspertët paralajmërojnë se këta faktorë po çojnë në shtim të sulmeve të astmës, përkeqësim të sëmundjeve kronike respiratore dhe rritje të rasteve emergjente në spitale. Studimet evropiane tregojnë se më shumë se një e treta e vdekjeve nga sëmundjet e mushkërive lidhen drejtpërdrejt me ndotjen dhe faktorët mjedisorë.
Në nivel global, qindra miliona njerëz jetojnë me astmë dhe sëmundje pulmonare kronike, ndërsa spitalet dhe trajtimi mjekësor për këta pacientë kanë një kosto të lartë mjedisore. Shërbimet shëndetësore prodhojnë rreth 5 për qind të emetimeve globale të gazeve serrë, me repartet intensive si ndër ndotësit më të mëdhenj.
Mjekët theksojnë se diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm i sëmundjeve respiratore ndihmon jo vetëm pacientët, por edhe mjedisin, pasi ul nevojën për hospitalizime dhe trajtime intensive.
Një shembull i qartë janë inhalatorët për astmën dhe COPD-në. Inhalatorët tradicionalë përdorin gazra që ndihmojnë në shpërndarjen e ilaçit, por këta gazra janë ndotës të fuqishëm për klimën.
Në Evropë, këta inhalatorë çlirojnë miliona tonë dioksid karboni çdo vit.
Si zgjidhje, disa kompani farmaceutike kanë nisur prodhimin e inhalatorëve më miqësorë me mjedisin, të cilët ruajnë të njëjtin efekt mjekësor, por ulin ndjeshëm ndikimin në klimë. Inhalatorët e rinj mund të reduktojnë ndotjen deri në 99 për qind krahasuar me modelet e vjetra.
Ekspertët vlerësojnë se teknologjia, së bashku me rregullore më mbështetëse, mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të pacientëve dhe në uljen e ndikimit mjedisor të kujdesit shëndetësor.


