Një softuer i ri i bazuar në inteligjencë artificiale (AI), i dizajnuar për të përmirësuar ekzaminimet me ultratinguj gjatë shtatzënisë, ka marrë miratimin për përdorim klinik nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Teknologjia, e zhvilluar nga start-up-i amerikan BioticsAI, integrohet drejtpërdrejt me aparatet ekzistuese të ultratingullit dhe analizon imazhet në kohë reale gjatë kontrollit të grave shtatzëna.
Qëllimi i saj është të rrisë saktësinë e zbulimit të anomalive fetale, të cilat aktualisht mund të mos identifikohen në deri në gjysmën e rasteve gjatë skriningut prenatal.
Sipas zhvilluesve, softueri vlerëson menjëherë cilësinë e imazhit, sugjeron korrigjime për pamje më të qarta dhe kontrollon nëse të gjitha strukturat kryesore të fetusit janë të dukshme. Në rast të mungesës së ndonjë elementi ose dyshimit për anomali, sistemi sinjalizon mjekun gjatë ekzaminimit.
Duke u bazuar në të dhëna të gjera globale, teknologjia është në gjendje të identifikojë defekte të mundshme, përfshirë anomalitë e zemrës apo të gjymtyrëve, dhe më pas gjeneron një raport të detajuar për profesionistin shëndetësor.
Po ashtu, pretendohet se sistemi kursen rreth tetë minuta kohë për çdo pacient, duke lehtësuar procesin e dokumentimit.
Miratimi nga FDA konfirmon se softueri i përmbush standardet e performancës dhe sigurisë për t’u përdorur si pajisje mjekësore, duke hapur rrugën për integrimin e tij në praktikën klinike.
Sipas të dhënave evropiane, anomalitë kongjenitale madhore ndodhin në rreth 24 për 10 mijë lindje. Studime të mëdha kanë treguar se skriningu standard prenatal me ultratinguj zbulon vetëm 38 për qind të defekteve në tremujorin e parë dhe rreth 51 për qind në mesin e shtatzënisë, ndërsa kombinimi i të dy ekzaminimeve e rrit ndjeshëm përqindjen e zbulimit.
Përveç SHBA-së, edhe në Evropë po zhvillohen zgjidhje të ngjashme, me kompani franceze që tashmë kanë marrë miratime për përdorimin e AI në ultratingujt prenatalë.
Ekspertët vlerësojnë se këto teknologji mund të përmirësojnë ndjeshëm kujdesin prenatal dhe të ndihmojnë në diagnostikimin më të hershëm dhe më të saktë të anomalive fetale.


