Hunda ka një rol shumë më të rëndësishëm sesa vetëm nuhatja. Mes tjerash, shërben si një barrierë mbrojtëse për traktin respirator, duke ndihmuar në ndalimin e baktereve dhe patogjenëve të tjerë që të mos depërtojnë drejt mushkërive. Kjo mbrojtje realizohet edhe falë mikrobiomës së hundës, e cila përbëhet nga një ekuilibër delikat bakteresh, kërpudhash dhe virusesh të dobishëm.
Ngjashëm me mikrobiomën e traktit gastrointestinal dhe të lëkurës, edhe ajo e hundës mund të prishet. Ky çekuilibër, i njohur si disbiozë, mund të favorizojë shumimin e baktereve të dëmshme dhe të rrisë rrezikun për sëmundje të frymëmarrjes, si astma apo sëmundja pulmonare obstruktive kronike, shkruan burimi Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Sipas një studimi të publikuar në revistën “Nicotine and Tobacco Research”, përdorimi i cigareve elektronike dhe atyre tradicionale ndikon drejtpërdrejt në këtë ekuilibër.
Studiueset Dr. Elise Hickman dhe Dr. Ilona Jaspers nga Universiteti i Karolinës së Veriut zbuluan se si vapimi ashtu edhe pirja e duhanit shkaktojnë ndryshime të dukshme në mikrobiomën e hundës.
Rezultatet treguan se përbërja e mikrobiomës ndryshon në varësi të gjinisë, llojit të duhanit të përdorur (elektronik apo tradicional) dhe nivelit të biomarkerëve të nikotinës në gjak.
Sipas studiuesve, këto gjetje nënvizojnë nevojën për hulumtime të mëtejshme, për të kuptuar se si cigaret elektronike dhe duhani ndikojnë në sistemin imunitar dhe shëndetin e përgjithshëm të rrugëve të frymëmarrjes. /Gazeta Shneta/


