Pacientët që përdorin semaglutide, të njohur me emrat tregtarë Ozempic dhe Wegovy, për humbje peshe kanë më pak gjasa të vdesin nga shkaqe kardiovaskulare krahasuar me ata që nuk e përdorin këtë terapi, sipas një studimi të ri shkencor.
Obeziteti, i cili prek rreth 40% të të rriturve në Shtetet e Bashkuara, lidhet ngushtë me një jetëgjatësi më të shkurtër dhe rritje të ndjeshme të rrezikut për sëmundje të zemrës, shkruan burimi Health News transmeton Gazeta Shneta.
Të dhënat tregojnë se çdo rritje prej 5 kg/m² në indeksin e masës trupore shoqërohet me një rritje prej 31% të rrezikut të vdekjes nga të gjitha shkaqet dhe 49% nga shkaqe kardiovaskulare. Në këtë kontekst, studiuesit kanë analizuar ndikimin e semaglutidit në vdekshmëri, në një studim të publikuar në “Journal of the American College of Cardiology”.
Studimi përfshiu 17,604 persona mbi moshën 45 vjeç, me indeks të masës trupore 27 ose më të lartë dhe me sëmundje kardiovaskulare, por pa diabet. Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht për të marrë injeksione javore prej 2.4 mg semaglutide ose placebo.
Rezultatet treguan se vetëm 4.3% e përdoruesve të semaglutide vdiqën nga të gjitha shkaqet, krahasuar me 5.2% në grupin placebo. Po ashtu, vdekshmëria kardiovaskulare ishte më e ulët në grupin e trajtuar me semaglutide (2.5%) kundrejt placebo (3%). Megjithëse ilaçi nuk uli incidencën e COVID-19, u vu re më pak komplikime dhe vdekje të lidhura me infeksionin.
Në fillim të këtij viti, FDA miratoi Wegovy për reduktimin e rrezikut kardiovaskular tek të rriturit mbipeshë ose obezë pa diabet. Megjithatë, ndërprerja e barit mund të çojë në rikthim të shpejtë të peshës dhe përdorimi i tij shoqërohet me efekte anësore si nauze dhe të vjella. /Gazeta Shneta/


