Një test i ri i bazuar në rezonancë magnetike (MRI) mund të ndihmojë pacientët me dështim të zemrës të shmangin kateterizimin e zemrës, një procedurë invazive që përdoret për të matur nivelin e oksigjenit në gjak.
Sipas një studimi të realizuar nga Universiteti i East Anglia, në bashkëpunim me universitetet e Leeds dhe Newcastle, mjekët mund të vlerësojnë gjendjen e pacientëve duke përdorur një MRI standarde të zemrës, pa pasur nevojë për futjen e tubit në zemër.
Metoda e re u testua fillimisht te 30 pacientë dhe tregoi përputhje të ngjashme me rezultatet e kateterizimit. Më pas, studiuesit analizuan 628 pacientë me dështim të sapodiagnostikuar të zemrës, të cilët u ndoqën për rreth tre vjet.
Rezultatet treguan se pacientët me vlera më të mira të oksigjenit në gjak, të vlerësuara përmes MRI-së, kishin më pak gjasa të shtroheshin në spital ose të vdisnin nga dështimi i zemrës.
Sipas studiuesve, testi i ri mund të jetë veçanërisht i dobishëm për pacientët e moshuar ose të brishtë, te të cilët kateterizimi paraqet rrezik më të lartë.


