Menopauza zakonisht shoqërohet me simptoma të njohura si afshet e nxehta, djersitja gjatë natës dhe vështirësitë në përqendrim. Megjithatë, kërkimet e fundit tregojnë se problemet gastrointestinale (GI) janë një aspekt i rëndësishëm, por shpesh i nënvlerësuar i kësaj periudhe të jetës së gruas.
Një studim i ri, i prezantuar në takimin vjetor të “The Menopause Society” në Orlando, Florida, zbuloi se 94% e gati 600 grave britanike të moshës 44 deri në 73 vjeçe raportuan shqetësime me tretjen. Nga këto, 82% thanë se simptomat ose kishin filluar, ose ishin përkeqësuar gjatë periudhës së menopauzës, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studiuesit kryesor, dietologut Nigel Denby nga Londra, problemet me tretjen në moshën e mesme shpesh nuk marrin vëmendjen e duhur. Ai theksoi se gjetjet tregojnë një përhapje të gjerë të këtyre shqetësimeve, të cilat ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme të grave.
Rritja e ndërgjegjësimit, sipas tij, do t’u mundësonte profesionistëve shëndetësorë të ofrojnë mbështetje dhe trajtim më të përshtatshëm.
Simptomat më të shpeshta të raportuara ishin fryrja e barkut (77%), kapsllëku (54%), dhimbjet e stomakut (50%) dhe refluksi acidik (49%). Më shumë se gjysma e grave përjetonin simptoma ditore ose javore, ndërsa 55% thanë se këto probleme ndikonin ndjeshëm në cilësinë e jetës.
Vetëm 33% e grave kishin marrë një diagnozë për sindromën e zorrës së irrituar. Edhe pse rreth gjysma kërkuan ndihmë profesionale, shumica e tyre e vlerësuan trajtimin si të pamjaftueshëm. Ekspertët theksojnë se simptomat gastrointestinale gjatë menopauzës nuk duhet të neglizhohen, pasi trajtimi i duhur mund të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien e përgjithshme. /Gazeta Shneta/


