Foshnjat vetëm dy muajshe janë në gjendje të dallojnë objektet e gjalla nga ato të pajeta, zbulon një studim i ri shkencor, duke rrëzuar bindjen se zhvillimi kognitiv fillon më vonë gjatë jetës.
Hulumtimi është kryer nga studiues të Trinity College Dublin dhe është publikuar në revistën Nature Neuroscience. Në studim janë përfshirë më shumë se 130 foshnja, aktiviteti i trurit të të cilave u analizua përmes rezonancës magnetike funksionale (fMRI).
Foshnjat u skanuan ndërsa ishin zgjuar dhe iu shfaqën imazhe të ndryshme nga jeta e përditshme, përfshirë kafshë si mace dhe zogj, si dhe objekte të pajeta si lodra, pemë dhe karroca blerjeje.
Rezultatet treguan se truri i foshnjave reagonte ndryshe ndaj objekteve të gjalla krahasuar me ato të pajeta, duke dëshmuar se foshnjat janë në gjendje të kategorizojnë atë që shohin që në muajt e parë të jetës.
Një pjesë e foshnjave u rikthyen për skanime të tjera në moshën nëntë muajshe. Studiuesit vunë re se dallimi në aktivitetin e trurit mes objekteve të gjalla dhe atyre të pajeta ishte edhe më i theksuar në këtë moshë.
Autorja kryesore e studimit, Cliona O’Doherty, tha se foshnjat nuk janë thjesht vëzhguese pasive, por po përpunojnë informacion në mënyrë aktive që në fillim të jetës.
Sipas ekspertëve, studimi ofron njohuri të reja për zhvillimin e hershëm të trurit dhe mund të ndihmojë në të ardhmen për të kuptuar më mirë çrregullimet neuro-zhvillimore dhe shëndetin mendor.
Profesori Gustavo Sudre nga King’s College London vlerëson se truri i foshnjave formon struktura mendore shumë më herët sesa reflektohen në sjelljen e tyre.
Ky studim hap rrugë për kërkime të reja mbi zhvillimin e trurit të njeriut që në muajt e parë të jetës./Gazeta Shneta/


