Konsumimi i përditshëm i kafesë dhe çajit mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit dhe në uljen e rrezikut për demencë, sugjeron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore JAMA.
Sipas hulumtimit, konsumimi i moderuar i kafeinës – dy deri në tre filxhanë kafe ose një deri në dy filxhanë çaj në ditë – lidhet me një rrezik deri në 18% më të ulët për zhvillimin e demencës, si dhe me ngadalësimin e rënies njohëse.
“Kur po kërkonim mënyra për parandalimin e demencës, menduam se diçka aq e përhapur sa kafja mund të jetë një ndërhyrje premtuese dietike,” ka deklaruar Daniel Wang, autor kryesor i studimit dhe profesor në Harvard Medical School.
Studimi përfshiu më shumë se 130 mijë pjesëmarrës, të cilët u ndoqën për deri në 43 vjet. Gjatë kësaj periudhe, mbi 11 mijë persona zhvilluan demencë.
treguan se personat me konsum më të lartë të kafeinës kishin rrezik dukshëm më të ulët për demencë, si te burrat ashtu edhe te gratë.
Përfitimet u vunë re kryesisht te ata që konsumonin kafeinë në sasi të moderuar, ndërsa konsumimi më i lartë nuk tregoi efekte të dëmshme dhe ofroi përfitime të ngjashme. Studiuesit theksojnë se kafeja dhe çaji përmbajnë përbërës bioaktivë, si polifenolët dhe kafeina, të cilët mund të mbrojnë trurin duke ulur inflamacionin dhe dëmtimin qelizor.
Megjithatë, autorët paralajmërojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon shkakësi direkte, si dhe nuk merr parasysh llojin e kafesë apo çajit dhe mënyrën e përgatitjes së tyre.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse efektet janë modeste, parandalimi i hershëm mbetet kyç, pasi trajtimet aktuale për demencën kanë efekt të kufizuar pasi shfaqen simptomat.


