Më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën vuajnë nga dhimbjet e forta të migrenës dhe shpesh e kanë të vështirë të gjejnë lehtësim.
Por kërkimet shkencore po hapin rrugë për terapi të reja kundër kësaj gjendjeje dobësuese neurologjike.
Edhe pse migrena është shumë e përhapur, shkaqet e saj dhe arsyet e simptomave të ndryshme mbeten ende pjesërisht mister shkencor. Megjithatë, ndërsa studiuesit po e kuptojnë më mirë këtë gjendje, po zbulojnë edhe mënyra të reja për ta trajtuar.
Nga barnat që veprojnë mbi proteina të caktuara në tru, te trajtimet me impulse elektrike ose magnetike, sot pacientët kanë më shumë mundësi se kurrë për ta luftuar këtë sëmundje të dhimbshme.
“Është një kohë vërtet e jashtëzakonshme për trajtimin e migrenës”, thotë Narayan Kissoon, neurolog në klinikën Mayo në SHBA.
Megjithatë, trajtimi mbetet i vështirë, sepse migrena shfaqet ndryshe te secili person. Shumica përjetojnë dhimbje në njërën anë të kokës, që mund të jenë pulsuese, therëse apo të shurdhëta, shpesh të shoqëruara me ndjeshmëri ndaj dritës, zhurmës apo aromave. Rreth një e katërta e pacientëve kanë edhe “aurë”, çrregullime të përkohshme të shikimit.
Rreth tre të katërtat e pacientëve janë gra, por edhe fëmijët mund të preken. Për shkak se pacientët janë shumë të ndryshëm, edhe trajtimet funksionojnë në mënyrë të ndryshme. Disa gjejnë lehtësim shpejt, të tjerë provojnë shumë terapi pa sukses.
Ekziston edhe rreziku i “dhimbjes nga mbipërdorimi i barnave”, sepse përdorimi i shpeshtë i qetësuesve mund ta përkeqësojë gjendjen. Migrena mund të jetë episodike, me më pak se 15 kriza në muaj, ose kronike, me më shumë se kaq.


