Një studim i ri tregon se diagnostikimi i demencës shpesh ndodh shumë kohë pasi shfaqen simptomat e para. Mesatarisht, diagnoza vendoset rreth 3.5 vjet pas fillimit të shenjave, ndërsa tek personat me demencë me fillim të hershëm kjo periudhë zgjatet deri në rreth 4.1 vjet. Kjo vonesë mund të ndikojë ndjeshëm në trajtimin, planifikimin e kujdesit dhe cilësinë e jetës së pacientëve.
Demenca mbetet një nga sëmundjet më sfiduese për t’u identifikuar, pasi nuk ekziston një test i vetëm diagnostikues.
Simptomat e gjendjes shpesh ngatërrohen me probleme të tjera shëndetësore, ndërsa në fazat e hershme ndryshimet në kujtesë, përqendrim apo sjellje mund të jenë aq të lehta sa të mos vërehen menjëherë as nga mjekët.
Sipas raportimit të Medical News Today, kjo e bën procesin e diagnostikimit të gjatë dhe kompleks.
Të dhënat e OBSH-së, tregojnë se në vitin 2021 rreth 57 milionë njerëz në botë jetonin me demencë, një term që përfshin sëmundje si Alzheimeri dhe çrregullime të tjera që ndikojnë në kujtesë dhe aftësinë për të menduar, transmeton Gazeta Shneta.
Autorja kryesore e studimit, Vasiliki Orgeta nga “University College London”, thekson se diagnostikimi i hershëm është thelbësor. Kjo u mundëson pacientëve dhe familjeve të tyre të planifikojnë kujdesin, trajtimin dhe jetën e përditshme, ndërsa sistemit shëndetësor i jep mundësinë të veprojë në mënyrë parandaluese dhe më efikase.
Studiuesit përfundojnë se ka nevojë urgjente për rritje të ndërgjegjësimit publik, përmirësim të trajnimit të profesionistëve shëndetësorë dhe krijim të rrugëve më të shpejta të referimit.
Vetëm kështu mund të sigurohet diagnostikim më i hershëm dhe mbështetje më e mirë për personat që jetojnë me demencë. /Gazeta Shneta/


