Qendra Klinike Universitare e Kosovës ia ka shtuar afër 100 mijë Euro tenderit për servisimin e aksleratorit në Onkologji, me kërkesë të kompanisë “Medica”.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës e ka shpërblyer me tender kompaninë “Medica” me vlerë afër 100 mijë Euro më shumë, sesa e kishte parashikuar në tenderin e iniciuar në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan Gazeta Shneta.
QKUK fillimisht këtë tender e kishte shpallur me vlerë të parashikuar prej 538,500.00. Por gjatë procesit kompania “Medica” i kërkoi QKUK-së që ta rris vlerën. Tenderi i ndarë në dy lote, ku Lot 1 me vlerë fillestare 336,000.00 u rrit në 384,680.00 €, kurse Lot 2 me vlerë fillestare 202,500.00€, u tejkalua në 255,750.00 Euro.
QKUK e ka pranuar se çmimi u rrit pas kërkesës së kompanisë “Medica”. Kjo e fundit ishte arsyetuar se QKUK e ka vendosur çmimin e njëjtë sikurse në kontratën e para dy viteve, dhe duke marr parasyshë rritjen e çmimeve, sipas tyre, duhet të rritet edhe vlerë e kontratës për vitet 2026-2028.
“Por ju jo vetëm se nuk e keni rritur vlerën e servisimit për shumen prej 7% te vlerës lineare vjetore, por ju keni përcaktuar edhe kritere shtese te cilat nuk do te mund te mbulohen as edhe me rritjen minimale e cila do te duhej te ishte prej 7% te vlerës vjetore ne baza lineare”, thuhet në kërkesën e kompanisë “Medica” drejtuar QKUK-së.
Këtë kërkesë QKUK ia ka bashkëngjitur përgjigjes për Gazetën Shneta. Aty thuhet se kjo pajisje shfrytëzohet për deri në 90 pacientë në ditë dhe amortizimi i saj është më i madh sesa parashihet.
“Ne kërkesën e re tek aneksi 1, keni future ne kuadër te servisimit te kësaj pajisje edhe Dera e kabinetit të akceleratorit, e cila nuk ka te beje fare me pajisjen – Askelerator Linear dhe e cila është rreth 20 vite nga instalimi i saj”, thuhet në këtë kërkesë.
Gjithashtu QKUK i ka kërkuar operatorit ekonomik që të bëj përditësime të pajisjes si dhe të ketë prezencë me kohë të pacaktuar të serviserit.
QKUK thotë se për këtë arsye i është bindur kërkesës së operatorit dhe vlera e tenderit është rritur sipas Nenit 9 të Ligjit të Prokurimit Publik.
“Pra marre parasysh rëndësinë qe ka funksionimi i Akseleratorit Linear, si dhe duke e pesë parasysh se buxheti i parashikuar nga Njësia Kërkuese nuk ka pasur rritje, AK-QKUK konform Nenit 9 te LPP-së, e ka aprovuar tejkalimin e vlerës se parashikuar për Lot 1 rreth 7% ne baze vjetore, ndërsa Lot 2, janë pjese te cilat QKUK nuk ka obligim pagesën e tyre, por do te paguhen vetëm ne rast te ndërrimit te tyre”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
SHSKUK i ka vlerë tre akseleratorë në katër vitet e fundit nga kompania “Medica” të cilët në total kanë kushtuar rreth 5.7 milionë Euro. /Gazeta Shneta/




