Ekspertët e ushqyerjes po rishikojnë rolin e vezës në shëndetin kardiovaskular, duke theksuar se ajo nuk duhet parë më si shkaktare kryesore e sëmundjeve të zemrës.
Sipas kërkimeve të fundit, ndikimi më i madh në rritjen e kolesterolit lidhet me yndyrnat e ngopura — të pranishme kryesisht në gjalpë, mish të kuq dhe ushqime të përpunuara – dhe jo me kolesterolin që merret nga ushqimi.
Një studim i publikuar në vitin 2025 në The American Journal of Clinical Nutrition tregoi se personat që konsumonin dy vezë në ditë, por ndiqnin një dietë me pak yndyrna të ngopura, shënuan ulje të kolesterolit LDL, i njohur si kolesteroli “i keq”. Studiuesit vlerësojnë se mëlçia prodhon më shumë kolesterol si reagim ndaj yndyrnave të ngopura sesa nga vetë e verdha e vezës.
E verdha e vezës mbetet një burim i pasur ushqyesish, duke përfshirë vitaminën D dhe kolinën, që janë të rëndësishme për funksionimin e organizmit.
Dietologët theksojnë se mënyra e përgatitjes është vendimtare. Konsumimi i vezës së skuqur në gjalpë ose i shoqëruar me produkte të përpunuara si sallami dhe proshuta mund të rrisë rrezikun kardiovaskular. Në të kundërt, përgatitja me vaj ulliri dhe kombinimi me perime e bën vezën pjesë të një diete të shëndetshme për zemrën.


