Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj ka njoftuar qytetarët për ndryshime të përkohshme në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të stafit pas përfundimit të kontratës së punës me KosovaMed.
Sipas njoftimit, nga data 2 mars 2026, stafi shëndetësor i Qendra e Mjekësisë Familjare nr.2 në rrugën “Remzi Hoxha” (nga rruga e Gjilanit) do të punojë me orar të ndryshuar, përcjell Gazeta Shneta.
Nga e hëna deri të premten, shërbimet do të ofrohen nga ora 08:00 deri në 16:00. Pas këtij orari, qytetarët mund të marrin shërbime në Qendra e Emergjencës Primare në Ferizaj, e cila funksionon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Ndërkohë, të shtunave, të dielave dhe gjatë festave, orari i punës në QMF-2 do të jetë nga 08:00 deri në 20:00.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se, deri në arritjen e një marrëveshjeje për kontratë të re pune, nuk do të funksionojnë disa ambulanta të mjekësisë familjare në fshatra.
Ambulantat në Talinoc dhe Mirash do të jenë të mbyllura përkohësisht dhe qytetarët mund të marrin shërbime në Qendra e Mjekësisë Familjare nr.1 në Ferizaj.
Po ashtu, për banorët e Gaçkës dhe Varoshit, shërbimet do të ofrohen në Qendra e Mjekësisë Familjare Greme dhe në Qendra e Mjekësisë Familjare nr.4 në Ferizaj.
Ndërsa puna do të vazhdojë normalisht, sipas orarit 08:00–14:00, në QMF-të e fshatrave Greme, Komogllavë, Pleshinë, Neredime, Dardani, Softaj dhe Prelez të Muhaxherëve.
Nga QKMF-ja u kërkohet qytetarëve mirëkuptim deri në stabilizimin e situatës me stafin dhe rregullimin e kontratave të reja të punës. / Gazeta Shneta/


