Një studim i ri nga studiues të Yale University sugjeron se stresi i prindërve mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e obezitetit tek fëmijët e vegjël.
Sipas hulumtimit, menaxhimi i stresit te prindërit mund të ndihmojë në uljen e rrezikut që fëmijët të bëhen mbipeshë ose obezë, pasi ndikon në përmirësimin e mënyrës së prindërimit dhe në zakonet ushqimore të fëmijëve.
Studimi u zhvillua për 12 javë dhe përfshiu 114 prindër nga prejardhje të ndryshme etnike dhe socio-ekonomike, të cilët ishin mbipeshë ose obezë dhe kishin fëmijë të moshës dy deri në pesë vjeç.
Prindërit u ndanë në dy grupe. Grupi i parë mori pjesë në një program për menaxhimin e stresit të quajtur “Parenting Mindfully for Health”, i cili përfshinte ushtrime të vetëkontrollit, teknika të ndërgjegjësimit (mindfulness), si dhe këshillim për ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik.
Ndërkohë, grupi i dytë mori vetëm këshilla për ushqimin dhe aktivitetin fizik.
Gjatë studimit, studiuesit monitoruan nivelin e stresit të prindërve dhe peshën e fëmijëve. Rezultatet treguan se prindërit që morën pjesë në programin për menaxhimin e stresit raportuan ulje të stresit dhe përmirësim të sjelljeve prindërore. Fëmijët e tyre konsumuan më pak ushqime jo të shëndetshme dhe nuk shënuan rritje në peshë gjatë periudhës së studimit.
Në anën tjetër, në grupin që mori vetëm këshilla ushqimore nuk u vërejtën përmirësime të ngjashme dhe fëmijët kishin gjashtë herë më shumë gjasa të hynin në kategorinë e mbipeshës ose obezitetit.
Sipas studiueses kryesore, Rajita Sinha, menaxhimi i stresit te prindërit mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e fëmijëve, pasi kur prindërit janë të mbingarkuar shpesh prishen rutinat familjare, shtohen zgjedhjet ushqimore jo të shëndetshme dhe bie cilësia e kujdesit prindëror.
Obeziteti në fëmijëri po bëhet gjithnjë e më i përhapur në nivel global. Sipas të dhënave të World Health Organization dhe World Obesity Federation, numri i fëmijëve mbipeshë në botë pritet të arrijë në 228 milionë deri në vitin 2040.


