Endometrioza është një sëmundje kronike gjinekologjike që prek rreth 10% të grave në moshë riprodhuese në botë. Sëmundja ndodh kur ind i ngjashëm me atë që vesh brendësinë e mitrës fillon të rritet jashtë saj, zakonisht në vezore, tubat fallopiane ose në pjesë të tjera të zgavrës abdominale.
Një studim i ri ka zhvilluar një test të thjeshtë me pesë pyetje, i cili mund të përdoret për të identifikuar më shpejt gratë që mund të vuajnë nga kjo sëmundje, shkruan The Courier-Mail, transmeton Gazeta Shneta.
Pyetjet përqendrohen në simptomat kryesore, përfshirë:
- dhimbjet e forta gjatë menstruacioneve;
- dhimbjen gjatë marrëdhënieve seksuale;
- dhimbjet kronike në pjesën e poshtme të barkut;
- menstruacionet e rënda;
- problemet me fertilitetin.
Diagnoza e endometriozës shpesh vonohet sepse simptomat mund të ngatërrohen me probleme të tjera gjinekologjike. Në shumë raste, diagnoza përfundimtare kërkon ndërhyrje kirurgjikale minimale përmes laparoskopisë.
Sipas studiuesve, përdorimi i një mjeti të thjeshtë diagnostik mund të ndihmojë në zbulimin më të hershëm të sëmundjes dhe fillimin më të shpejtë të trajtimit, duke përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve. /Gazeta Shneta/


