SHSKUK vitin e kaluar e bleu një laparaskop me vlerë 158 mijë Euro për sallën operative në Emergjencë, por kjo pajisje ende s’ka filluar të përdoret.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës vitin e kaluar i shpenzoi mbi 800 mijë Euro në një tender për blerjen e disa pajisjeve për nevojat e klinikave në Qendrën Klinike Universitare, shkruan Gazeta Shneta.
Në mesin e këtyre pajisjeve ishte edhe një laparaskop i cili i kushtoi SHSKUK-së 158,547. Kjo pajisje u kontaktua nga kompania “Konti SHPK”.
Pajisja është dorëzuar në klinikë në muajin dhjetor të vitit të kaluar, por ende nuk ka filluar me u përdorë nga mjekët.
Gazeta ka kërkuar përgjigje nga QKUK lidhur me këtë rast. Përgjigje ka kthyer drejtori i Klinikës Emergjente, së bashku me shefin e sallave operative kirurgun dr. Arben Haliti.
Ky i fundit ka thënë se mungesa e funksionalizimit të laparaskopit lidhet me faktin se nuk kanë instrumentare të trajnuara.
“Mungesa momentale e funksionalizimit të laparoskopit, lidhet me faktin se instrumentaret dhe stafi mbështetës jonë ende në proces trajnimi. Duke qenë se kirurgjia laparoskopike është një procedurë shumë specifike dhe kërkon një koordinim të saktë ndërmjet Kirurgut, instrumentareve dhe ekipës mbështetëse, është e domosdoshme që i gjithë personeli të ketë përgatitje të plotë profesionale dhe praktike”, thuhet në këtë përgjigje.
Sipas përgjigjes, kjo është arsyeja pse është shtyrë funksionalizimi i kësaj pajisje.
Ata thonë se stafi është duke u trajnuar në sallat e laparaskopisë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.
“Dua të shtojë se stafi i mesëm (Instrumentarët dhe stafi mbështetës) veç jonë duke vijuar edukimin për këtë lëmi në Sallat e Laparoskopisë në Kl e K. Abdominale”, kanë deklaruar nga QKUK.
Kjo nuk është hera e parë që pajsije qindra mijëra euroshe në QKUK qëndrojnë të papërdorura, kryesisht për shkak të mungesës së njohurive të stafit për t’i përdorur ato. /Gazeta Shneta/




