Çaji jeshil është një nga pijet më të njohura në botë dhe prej kohësh vlerësohet për përfitimet e tij të shumta shëndetësore.
Sipas burimit Express.co.uk, kjo pije e ngrohtë përmban një grup përbërësish të quajtur polifenole, të cilët njihen për vetitë e tyre antioksiduese dhe ndikimin pozitiv në organizëm.
Sipas disa studimeve shkencore, konsumimi i rregullt i çajit jeshil mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit në mënyrë natyrale dhe të shëndetshme, transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i publikuar në vitin 2011 në “Journal of the American Dietetic Association” analizoi efektin e katekinave – një lloj polifenoli që gjendet në çajin jeshil – në nivelet e kolesterolit në gjak.
Rezultatet treguan se këta përbërës mund të çojnë në një ulje të ndjeshme të kolesterolit total dhe të kolesterolit LDL, i njohur shpesh si kolesteroli “i keq”.
Sipas studiuesve, konsumimi i katekinave lidhej me një reduktim statistikisht të rëndësishëm të këtyre treguesve, ndërsa nuk u vërejtën ndryshime domethënëse në kolesterolin HDL, i cili konsiderohet kolesteroli “i mirë”, apo në nivelet e triglicerideve.
Një tjetër studim, i publikuar në vitin 2020 në “Nutrition Journal”, arriti në përfundime të ngjashme. Kjo meta-analizë përfshiu 31 prova shkencore me gjithsej 3,321 pjesëmarrës dhe shqyrtoi ndikimin e konsumimit të çajit jeshil në shëndetin kardiovaskular.
Rezultatet treguan se njerëzit që konsumonin çaj jeshil kishin nivele më të ulëta të kolesterolit total dhe të kolesterolit LDL në krahasim me grupet e kontrollit.
Për më tepër, studimi zbuloi se çaji jeshil mund të ndihmojë edhe në uljen e triglicerideve, megjithëse nuk pati ndikim të dukshëm në kolesterolin HDL.
Këto rezultate u vërejtën si te personat me mbipeshë apo obezitet, ashtu edhe te ata me peshë normale. Megjithatë, ekspertët theksojnë se për çdo shqetësim lidhur me kolesterolin, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun për këshilla dhe trajtim të përshtatshëm. /Gazeta Shneta/


