Vitamina D është një element thelbësor për shëndetin e organizmit, veçanërisht për forcimin e sistemit imunitar dhe ruajtjen e kockave të forta. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se marrja e saj në sasi të tepërta mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, veçanërisht për zemrën dhe veshkat.
Gjatë muajve të pranverës dhe verës, organizmi ynë arrin të prodhojë shumicën e vitaminës D përmes ekspozimit ndaj diellit. Por në stinët më të ftohta, ditët bëhen më të shkurtra dhe rrezet e diellit më të pakta, duke bërë që shumë individë të përdorin suplemente për të ruajtur nivelet e kësaj vitamine në trup, shkruan burimi Express.co.uk transmeton Gazeta Shneta.
Sipas mjekes Dr. Ross Perry, marrja e tepërt e vitaminës D për një periudhë të gjatë mund të çojë në grumbullimin e kalciumit në organizëm. Ky proces mund të dobësojë kockat dhe të shkaktojë dëmtime në zemër dhe veshka.
Ajo thekson se është e rëndësishme të respektohen kufijtë e rekomanduar të konsumit për çdo grupmoshë. Për shembull, të rriturit – përfshirë gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji – si dhe të rinjtë nga 11 deri në 17 vjeç duhet të jenë të kujdesshëm me dozën. Fëmijët nga 1 deri në 10-vjeç nuk duhet të kalojnë 50 mikrogramë në ditë, ndërsa bebet nën 12 muaj nuk duhet të marrin më shumë se 25 mikrogramë.
Nga ana tjetër, edhe mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë probleme. Ajo lidhet shpesh me lodhje, mungesë energjie dhe dobësim të përgjithshëm të organizmit. Për këtë arsye, ekspozimi i moderuar ndaj diellit mbetet mënyra më natyrale për të përfituar këtë vitaminë.
Specialistët këshillojnë që suplementet të merren vetëm pas konsultimit me mjekun dhe zakonisht në mëngjes, pasi kjo përputhet me mënyrën natyrale se si trupi e prodhon vitaminën D gjatë ditës.
Përdorimi i balancuar dhe i kontrolluar i saj është thelbësor për të ruajtur shëndetin dhe për të shmangur efektet e padëshiruara. /Gazeta Shneta/


