Numri i rasteve të konfirmuara nga shpërthimi i meningjitit B në Kent ka rënë në 29, nga 34 që ishin raportuar më herët, sipas të dhënave më të fundit nga UK Health Security Agency.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se ulja e numrit të rasteve vjen si rezultat i riklasifikimit laboratorik dhe hetimeve klinike, ku disa raste të mëparshme nuk janë më të konsideruara të konfirmuara. Ndërkohë, numri i viktimave mbetet dy: një student 21-vjeçar në University of Kent dhe një nxënës nga Faversham.
“Disa raste që fillimisht u klasifikuan si të konfirmuara janë riklasifikuar pas rezultateve të mëtejshme laboratorike,” thuhet në njoftimin e autoriteteve, duke shtuar se pritet që edhe raste të tjera të ulen në ditët në vijim.
Shpërthimi është lidhur me një klub nate në Canterbury, ku dyshohet se një anëtar i stafit ka qenë i infektuar me meningjit B. Si masë emergjente, autoritetet kanë shpërndarë antibiotikë dhe maska për studentët, ndërsa është vendosur zgjerimi i vaksinimit për këtë grup.
Sipas UK Health Security Agency, antibiotikët parandalues janë masa më e rëndësishme në fazën fillestare të shpërthimit, ndërsa vaksinimi ofron mbrojtje afatgjatë.
Studentët e University of Kent, përfshirë ata që janë kthyer në qytetet e tyre, mund të marrin vaksinën dhe trajtimin përmes mjekëve të familjes.
Ekspertja e sëmundjeve infektive në këtë agjenci, Sherine Thomas, tha se është inkurajuese pjesëmarrja e të rinjve në vaksinim dhe trajtim parandalues, ndërsa theksoi se autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo rast të ri.
Meningjiti është një infeksion serioz që prek cipat mbrojtëse të trurit dhe palcës kurrizore. Forma bakteriale, si meningjiti B, konsiderohet më e rrezikshme dhe përhapet përmes kontaktit të afërt, si kollitja, puthja apo ndarja e enëve.
Në Angli vaksinimi rutinë kundër meningjitit B për foshnjat është futur që nga viti 2015, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun te grupmoshat e reja.
Ndërkohë, European Centre for Disease Prevention and Control vlerëson se rreziku për popullatën e përgjithshme në Evropë mbetet shumë i ulët, për shkak të probabilitetit të vogël të ekspozimit dhe përhapjes së infeksionit.


