Një studim i publikuar në revistën shkencore Radiology ka zbuluar se imazhet e rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale, të njohura si “deepfake”, janë aq realiste sa mund të mashtrojnë edhe vetë radiologët.
Sipas hulumtimit të realizuar nga Radiological Society of North America, as specialistët e radiologjisë dhe as modelet e avancuara të inteligjencës artificiale nuk janë në gjendje të dallojnë lehtësisht rrezet X të gjeneruara nga AI nga ato reale.
Në studim morën pjesë 17 radiologë nga 12 qendra në gjashtë shtete, me përvojë nga 0 deri në 40 vjet. Ata analizuan gjithsej 264 imazhe, ku gjysma ishin reale dhe gjysma të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Rezultatet treguan se vetëm 41% e radiologëve arritën të identifikonin spontanisht imazhet e rreme kur nuk ishin të informuar paraprakisht. Edhe pasi u njoftuan për praninë e tyre, saktësia mesatare e dallimit arriti në rreth 75%.
Studimi paralajmëron për rreziqe serioze, përfshirë manipulime të mundshme në diagnoza apo përdorimin e imazheve të rreme në raste ligjore. Ekspertët theksojnë se një frakturë e fabrikuar mund të duket reale, duke krijuar hapësirë për keqpërdorime.
Po ashtu, ekziston rreziku i sulmeve kibernetike, ku hakerët mund të ndërhyjnë në sistemet spitalore dhe të fusin imazhe të rreme, duke cenuar besueshmërinë e të dhënave mjekësore.
Studiuesit kanë identifikuar disa karakteristika të imazheve “deepfake”, të cilat shpesh duken “tepër perfekte” – me kocka shumë të lëmuara, shtylla kurrizore të drejta në mënyrë të pazakontë dhe modele shumë uniforme të indeve.
Për të parandaluar këto rreziqe, ekspertët rekomandojnë përdorimin e masave të avancuara digjitale, si watermark-e të padukshme dhe nënshkrime kriptografike që verifikojnë origjinën e imazheve mjekësore.
Ata paralajmërojnë se kjo mund të jetë vetëm fillimi, pasi në të ardhmen inteligjenca artificiale pritet të gjenerojë edhe imazhe më të avancuara 3D si CT dhe MRI, duke e bërë edhe më të vështirë dallimin mes reales dhe të rremes.


