Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se trendi i paraqitjes së sëmundjeve malinje në Kosovë vazhdon të mbetet relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit.
Në një njoftim, SHSKUK thekson se në baza vjetore regjistrohen mesatarisht rreth 2,100 raste të reja me kancer, duke e cilësuar këtë si një situatë të menaxhueshme në raport me kapacitetet shëndetësore në vend.
Sipas këtij institucioni, pacientët që paraqiten për trajtim kalojnë nëpër të gjitha fazat e nevojshme të ekzaminimit, diagnostikimit dhe trajtimit, në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore.
Të dhënat, sipas SHSKUK-së, tregojnë për një situatë të qëndrueshme dhe të monitoruar me kujdes nga profesionistët shëndetësorë, ndërkohë që incidenca e sëmundjeve malinje në Kosovë vazhdon të mbetet më e ulët krahasuar me disa vende të rajonit.
Po ashtu, SHSKUK bën të ditur se Klinika e Onkologjisë mbetet e përkushtuar në avancimin e shërbimeve për pacientët, duke u fokusuar në diagnostikimin e hershëm, ofrimin e trajtimeve moderne dhe sigurimin e kujdesit të vazhdueshëm dhe cilësor.
Në të njëjtën kohë, institucionet shëndetësore synojnë rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, si dhe shtimin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, me qëllim përmirësimin e shëndetit publik në vend./Gazeta Shneta/




