Një studim i ri nga Gjermania sugjeron se ngrënia në orët e vona të mbrëmjes mund ta vështirësojë ndjeshëm përpunimin e sheqerit në gjak nga trupi, duke ndikuar negativisht në shëndetin metabolik.
Studiuesit nga Instituti Gjerman për Ushqyerjen Humane (DIfE) analizuan të dhënat nga një studim me binjakë, të realizuar në periudhën 2009–2010, dhe zbuluan se kohështrirja e vakteve ndikon drejtpërdrejt në funksionin e orës biologjike dhe në kontrollin e glukozës, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sistemi cirkadian, një orë biologjike 24-orëshe që drejton sjelljen dhe metabolizmin përmes një qendre në tru dhe orëve periferike në organe si pankreasi dhe mëlçia, ndikon në mënyrën se si trupi reagon ndaj ushqimit në momente të ndryshme të ditës.
Metabolizmi është më aktiv në mëngjes, prandaj trupi e përpunon më mirë sheqerin në këtë pjesë të ditës. Përkundrazi, ngrënia vonë mund të mos përputhet me ritmet natyrore dhe të çojë në rritje të niveleve të sheqerit në gjak dhe të prodhimit të hormonit insulinë.
Ky desinkronizim mes kohës së ngrënies dhe ciklit ditë-natë ndodh shpesh te njerëzit që punojnë turne nate ose kanë zakone të çrregullta ushqimore, dhe mund të shkaktojë pasoja metabolike të padëshiruara.
Ushqimi i mbrëmjes, sidomos afër kohës së gjumit, mund të ndërpresë sinjalet natyrore që ndihmojnë në sinkronizimin e orëve të brendshme të trupit dhe të ndikojë në shëndetin afatgjatë.
Studiuesit theksojnë se vaktet janë më shumë sesa burim energjie – ato shërbejnë edhe si sinjale biologjike që rregullojnë ekuilibrin hormonal dhe funksionet e trupit.
Prandaj, përmirësimi i shëndetit metabolik mund të mos varet vetëm nga përbërja ushqimore, por edhe nga koha kur hahet. Këto gjetje mund të jenë veçanërisht të rëndësishme për njerëzit me diabet ose me rrezik për çrregullime metabolike. /Gazeta Shneta/


