Një studim i ri tregon se personat me diabet që kryejnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë, qoftë në mënyrë të rregullt apo vetëm gjatë fundjavës, kanë një rrezik më të ulët për probleme serioze shëndetësore, përfshirë ato kardiovaskulare.
Sipas studimit, edhe ata që janë pjesërisht aktivë – por jo plotësisht të palëvizshëm – përfitojnë nga një rrezik më i ulët krahasuar me ata që nuk ushtrojnë fare, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, një në nëntë të rritur në botë jeton me diabet – një gjendje kronike ku organizmi nuk e përpunon siç duhet sheqerin në gjak. Rreth 95% e këtyre rasteve janë diabet i tipit 2, i cili zhvillohet gjatë jetës dhe shpesh lidhet me mbipeshën, presionin e lartë të gjakut dhe mungesën e aktivitetit fizik.
Diabeti, si i tipit 1 ashtu edhe i tipit 2, shoqërohet me komplikime serioze si dëmtime nervore, rënie të funksioneve njohëse, probleme me këmbët, veshkat dhe zemrën.
Dr. Zhiyuan Wu nga “Harvard School of Public Health”, autori i parë i studimit të publikuar në “Annals of Internal Medicine”, thekson se edhe pse mjekimet janë efektive, ndryshimet në stilin e jetesës – veçanërisht rritja e aktivitetit fizik – janë thelbësore për të ulur rreziqet afatgjata për shëndetin e personave me diabet. /Gazeta Shneta/


