Në vitet e fundit, dieta MIND është bërë një model i njohur ushqimor për ruajtjen e shëndetit të trurit.
Dieta MIND është një kombinim i dietës mesdhetare dhe DASH (Qasje ushqimore për të ndalur hipertensionin) e cila fokusohet në ushqime që mbrojnë funksionin njohës, si perimet, arrorët dhe peshkun. Kjo dietë synon të ngadalësojë ose të ulë rrezikun për rënien njohëse me moshën, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri, i publikuar në revistën “Journal of Neurology, Neurosurgery & Psychiatry”, zbuloi se dieta MIND mund të mbrojë trurin kundër dëmtimit struktural që lidhet me moshën.
Kjo përfshin ngadalësimin e tkurrjes dhe humbjes së masës gri të trurit, e cila është thelbësore për kujtesën dhe funksionet njohëse. Humbja e masës gri është gjithashtu e lidhur me rritjen e rrezikut për sëmundjen e Alzheimer.
Sipas Hui Chen nga “Zhejiang University School of Medicine”, që është autori i parë i studimit, hulumtimi synonte të shqyrtonte nëse ndjekja e dietës MIND lidhej me ngadalësimin e atrofiës së trurit me kalimin e kohës.
Ai theksoi se ruajtja e strukturës së trurit është e rëndësishme për të parandaluar rënien njohëse, demencën dhe humbjen e pavarësisë.
Studimet e mëparshme kishin treguar se ndjekja e dietës MIND lidhej me përmirësim të funksionit njohës dhe ulje të rrezikut për demencë, por ky studim shton se përfitimet mund të shtrihen edhe në mbrojtjen e strukturës së trurit.
Rezultatet sugjerojnë se adoptimi i këtij modeli ushqimor që në mes-moshë ose më herët mund të jetë një strategji praktike për parandalimin e sëmundjeve neurodegjenerative. /Gazeta Shneta/


