Një studim i madh i publikuar në “Neurology”, sugjeron se personat me diabet të tipit 1 kanë një rrezik dukshëm më të lartë për zhvillimin e demencës krahasuar me ata pa diabet. Sipas rezultateve, ata janë pothuajse trefish më të rrezikuar, ndërsa personat me diabet të tipit 2 kanë rreth dyfish më shumë gjasa për të zhvilluar këtë gjendje.
Diabeti është një grup çrregullimesh metabolike që lidhen me probleme në prodhimin ose veprimin e insulinës, duke shkaktuar nivele të larta të sheqerit në gjak. Kjo mund të dëmtojë enët e gjakut dhe të nxisë inflamacion në trup, duke kontribuar në zhvillimin e sëmundjeve të tjera kronike, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimi analizoi të dhënat e 283,772 personave mbi moshën 50 vjeç nga programi “All of Us Research Program”. Nga këta, 5,442 kishin diabet të tipit 1 dhe 51,511 diabet të tipit 2. Gjatë një periudhe mesatare prej 2.4 vitesh, 2,348 pjesëmarrës zhvilluan demencë.
Rezultatet treguan se 2.6% e personave me diabet të tipit 1 zhvilluan demencë, krahasuar me 1.8% të atyre me diabet të tipit 2 dhe vetëm 0.6% të personave pa diabet. Edhe pas përshtatjes për faktorë si mosha, gjinia, mënyra e jetesës dhe arsimi, lidhja mbeti e fortë.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky është një asociim dhe jo provë shkakësie. Pra, diabeti nuk është treguar drejtpërdrejt si shkaktar i demencës. /Gazeta Shneta/


