Një studim i ri tregon se jetesa në zona me ekspozim të lartë ndaj pesticideve bujqësore lidhet me një rrezik më të madh për zhvillimin e kancerit. Pesticidet, të pranishme gjerësisht në ushqim, ujë dhe mjedis, mund të ndikojnë negativisht në shëndet, veçanërisht tek popullatat më të cenueshme.
Studimi i publikuar në “Nature Health”, dhe i realizuar në Peru, analizoi të dhëna mjedisore, regjistra të kancerit dhe mostra biologjike, duke zbuluar një lidhje të fortë mes ekspozimit ndaj pesticideve dhe ndryshimeve biologjike që lidhen me kancerin. Në zonat me ekspozim të lartë, rreziku për kancer rezultoi deri në 150% më i lartë, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Hulumtuesit krijuan një hartë të detajuar të shpërndarjes së pesticideve për periudhën 2014–2019, duke treguar se ndotja mund të përhapet deri në 30–50 kilometra përtej zonave të kultivuara. Më shumë se një e treta e territorit kombëtar u klasifikua si zonë me rrezik mesatar ose të lartë.
Analizat molekulare treguan se pesticidet mund të ndërhyjnë në proceset që ruajnë funksionin normal të qelizave, duke krijuar ndryshime që ndodhin para shfaqjes së kancerit.
Këto efekte janë të hershme dhe shpesh të padukshme, por mund ta bëjnë trupin më të ndjeshëm ndaj faktorëve të tjerë rreziku.
Studimi identifikoi se disa lloje kanceri, veçanërisht ato që prekin traktin tretës, mushkëritë dhe lëkurën, janë më të lidhura me këtë ekspozim.
Gjithashtu, u vu re një përhapje e lartë e kancerit të mëlçisë në disa rajone.
Këto gjetje theksojnë nevojën për politika më të forta mbrojtëse dhe për reduktimin e pabarazive shëndetësore, duke synuar mbrojtjen e komuniteteve më të rrezikuara nga ndikimet mjedisore. /Gazeta Shneta/


